Siç njofton Policia, shtetasi shqiptar me inicialet R.M. është arrestuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Planqor të komunës së Gjakovës.
Hetimet kanë zbuluar se ai dyshohet për së paku 17 raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në qytetin e Gjakovës dhe disa fshatra përreth.
Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur dhe sekuestruar një çantë me mjete të forta që dyshohet se janë përdorur për hapjen e dyerve, dy telefona celularë, një thikë dhe disa sende të tjera që dyshohet se lidhen me veprat penale.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërkohë që hetimet për identifikimin e rasteve të tjera të mundshme dhe grumbullimin e provave shtesë janë duke vazhduar.