Një rast tragjik ka ndodhur më 15 korrik 2025, në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, ku një këmbësor është goditur nga një veturë teksa po kalonte në vijat e bardha.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari për aksidentin është Adem Paçarizi, i lindur në vitin 2006, i cili duke drejtuar automjetin VW, nuk ka respektuar shpejtësinë dhe as përparësinë e këmbësorit, duke shkaktuar aksidentin e rëndë.
Viktima, Shkodran Morina, rreth 24-vjeçar, u godit në mënyrë të drejtpërdrejtë me pjesën ballore të automjetit teksa po kalonte rrugën në vendkalim për këmbësorë. Ai pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua me urgjencë në repartin intensiv të QKUK-së në Prishtinë.
Pas 7 ditësh luftë për jetën, burimet nga QKUK kanë konfirmuar për Sinjalin se viktima ka ndërruar jetë më 22 korrik 2025 rreth orës 16:00. Policia dhe Prokuroria janë njoftuar menjëherë për rastin.