Arrest shtëpiak për ish-zyrtarët komunalë “për keqpërdorim të detyrës” në Gjakovë

- Gazeta e Prizrenit

Arrest shtëpiak për ish-zyrtarët komunalë “për keqpërdorim të detyrës” në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj ndaj katër ish-zyrtarëve të Komunës së Gjakovës, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjatë viteve 2018 dhe 2019, këta ish-zyrtarë kanë lejuar dhe miratuar parcelime të paligjshme të pronave publike në favor të palëve të treta, duke dëmtuar pasurinë e Komunës dhe institucioneve publike.

“Sipas kërkesës, gjatë viteve 2018 dhe 2019, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.B., Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, dhe E.B., Udhëheqëse e Sektorit Urbanistik në Komunën e Gjakovës, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe në bashkëkryerje, me dashje dhe në kundërshtim me interesin publik, kanë lëshuar pëlqime për parcelim të paligjshëm të pronave publike në dobi të palëve të treta A.L., M.Ll. dhe Sh.B., duke u mundësuar këtyre bartjen e pronës publike në emër të tyre dhe duke dëmtuar pasurinë e Komunës së Gjakovës dhe KBI-së në Gjakovë. Po ashtu, ekziston dyshimi se gjatë vitit 2019, A.L., Drejtoreshë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, dhe A.K., jurist, kanë tejkaluar kompetencat duke miratuar regjistrime të reja të parcelave në kundërshtim me ligjin për kadastër dhe atë për të drejtat e pronës së paluajtshme, duke i bartur në mënyrë të kundërligjshme parcela dhe objekte në emër të palëve A.L., M.Ll. dhe Sh.B., duke dëmtuar interesin publik dhe pronën e institucioneve publike”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Në veçanti, dyshohet se ish-drejtuesit e sektorëve urbanistik dhe kadastral kanë lëshuar pëlqime dhe kanë miratuar regjistrime të kundërligjshme të parcelave, duke transferuar në mënyrë të paligjshme prona dhe objekte në emër të personave të interesuar.

Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, por gjyqtari i procedurës paraprake vendosi se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e tyre dhe për të parandaluar përsëritjen e veprës penale.

Masa e arrestit shtëpiak do të vlejë prej 23 korrikut deri më 23 gusht 2025. Të pandehurit kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /KK



Read it all at Gazeta e Prizrenit