Një nga vlerat më të rrënjosura në traditën shqiptare, besa, ka luajtur një rol kyç në transferimin e mesfushorit Ardon Jashari drejt Milanit.
Edhe pse me origjinë shqiptare, Jashari u rrit në Zvicër, por trashëgimia kulturore shqiptare ka ndikuar fuqishëm në vendimmarrjen e tij.
Sipas mediave italiane, futbollisti i kishte dhënë fjalën klubit kuqezi, dhe në frymën e besës, ai nuk e theu premtimin, pavarësisht ofertave më të larta financiare që mbërritën nga klube të tjera, përfshirë edhe Club Brugge. Për Jasharin, një fjalë e dhënë kishte më shumë vlerë sesa një kontratë më e majme.
Besa, një koncept i lashtë që ende gëzon respekt në Shqipëri, është më shumë sesa një premtim. Ajo është një shtyllë e moralit shqiptar, që mishëron ndershmërinë, besueshmërinë dhe nderin personal. Në kohën kur Kanuni ishte në fuqi, besa kishte madje edhe vlerë juridike. Edhe sot, një shtrëngim duarsh mund të vlejë po aq sa një firmë në dokument.
Në Shqipërinë e sotme, të jesh i quajtur pabesë, pra “pa besë” është një nga fyerjet më të rënda që mund t’i bëhen një personi. Është një damkë morale që përkujton terminologjinë latine infidus apo perfidus, shumë më të ashpra sesa përkthimet moderne të tyre.
Falë besës, Shqipëria ka treguar shembuj të shkëlqyer solidariteti dhe nderi, përfshirë shpëtimin e shumë hebrenjve gjatë Holokaustit, një akt për të cilin shqiptarët janë nderuar me titullin “Të drejtë midis kombeve”.
Dhe tani, në një skenar krejt tjetër, besa ka qenë sërish vendimtare, këtë herë në fushën e futbollit. Milan e ka marrë mesfushorin që kërkonte prej kohësh, ndërsa Ardon Jashari ka treguar se ndonjëherë, fjala e dhënë vlen më shumë se çdo ofertë.