Një aksion i Njësisë së Hetimit të Narkotikëve në Prizren, në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror 2025”, ka zbuluar një rast të shitjes dhe shpërndarjes së substancave narkotike pranë shkollës “Lidhja e Prizrenit”.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se më 6 gusht, rreth orës 23:30, policia kishte pranuar informacione se disa persona po shisnin marihuanë në oborrin e shkollës. Në hyrje të objektit janë parë tre persona (një femër dhe dy meshkuj), të cilët, sapo kanë vërejtur policinë, kanë tentuar të largohen.
Në vendngjarje janë ndaluar E.B dhe B.S, ndërsa i dyshuari E.G., rreth 17-vjeçar ka arritur të ikë, duke shmangur arrestimin. Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar: 0,68 gram marihuanë, një qese me 7,27 gram marihuanë, një “grinder” ngjyrë të verdhë, një kartëmonedhë 5 euro dhe një 20 euro.
Më 8 gusht, rreth orës 20:00, E.G është paraqitur vullnetarisht në zyrat e Njësisë së Hetimit të Narkotikëve në Prizren, i shoqëruar nga prindi dhe avokati mbrojtës. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, ai është liruar dhe rasti do të procedohet në mënyrë të rregullt hetimore.