Barcelona po kalon sërish ditë të vështira për të regjistruar lojtarët e saj. Nuk është diçka e re, kjo është bërë tashmë një histori e përsëritur në çdo merkato, ku klubi “blaugrana” duhet të manovrojë me shitje dhe ulje pagash për të respektuar rregullin 1:1 dhe për të mos e tejkaluar masën e pagave.
Drejtori sportiv, Deco, është përballur me një sfidë të madhe këtë verë: të ruajë fuqinë e skuadrës pa shitur lojtarët kryesorë. Për këtë, ai ka përdorur kreativitet dhe strategji të ndryshme, duke arritur rezultate që i kanë sjellë madje edhe urime publike nga presidenti Laporta.
"Ka një rregullore dhe, pa u ankuar, duhet të gjejmë zgjidhje me shitje, largime, rinovime… Është një sfidë çdo javë, por përpiqemi t’i rregullojmë të gjitha,” tha Deco të shtunën e kaluar.
Shitjet dhe të ardhurat
Barcelona ka arritur disa largime që kanë sjellë të ardhura:
Pau Víctor u transferua te Braga për 12 milionë euro;
Pablo Torre, tani lojtar i Mallorcës, solli 5 milionë euro;
Álex Valle u ble nga Como për 6 milionë euro, pasi më herët ishte aty në huazim;
Nga ekipi i të rinjve, klubi ka fituar gjithsej 2,7 milionë euro: Sergi Domínguez (1,2M), Noah Darvich (1M) dhe Álex Collado (0,5M).
Ulja e masës së pagave
Në këtë drejtim, Deco ka arritur të kursejë shumë:
Lenglet u largua pas prishjes së kontratës, duke u bashkuar me Atlético Madridin;
Ansu Fati u huazua te Monaco, pasi më parë uli rrogën përmes rinovimit;
Koundé rinovoi me kushte të reja, duke ulur ndjeshëm pagën;
Iñigo Martínez u transferua te Al Nassr, çka liroi mbi 8 milionë euro.
Në total, këto lëvizje kanë liruar rreth 25 milionë euro nga buxheti i pagave.
Të ardhura shtesë nga klauzolat
Barça ka përfituar gjithashtu nga klauzolat e ish-lojtarëve:
Todibo (West Ham) solli 7,8 milionë euro;
Reits, Jutglá dhe Moriba kontribuan me 2,7 milionë euro;
Për Trincao, Deco shiti përqindjen e të drejtave për 11 milionë euro, një operacion i konsideruar shumë i suksesshëm.
Hapat e radhës
Tani Barcelona duhet të krijojë hapësirë për të regjistruar Szczesny-n dhe Gerard Martín. Plani është të ndërpritet kontrata me Oriol Romeu, si dhe të rinovohet kontrata e Iñaki Peñës për t’u huazuar, gjë që do të lejojë regjistrimin e portierit polak.