Nesër në orën 20.00 kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës, do të presë Ludogoretsin nga Bullgaria, në ndeshjen e parë të play-off-it të Europa League në futboll.
Ndeshja do të luhet në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, pritet me interesim të madh, duke ditur se skuadra që del më e mirë në dy takime luan në fazën e grupeve, ndërsa humbësi në Conference League.
Para ndeshjes së nesërme në Shkup, trajneri i kampionit bullgar, Rui Mota, në konferencën për shtyp, ndër të tjera, theksoi:
"Fatkeqësisht, nuk mund të llogarisim te Dua, Anderson dhe Kamara, por të gjithë të tjerët janë të gatshëm. Isha këtu vitin e kaluar kur isha trajner i Noah.
Kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, shpresoj se do të arrijmë të fitojmë. Po, në letër klubi im është favorit, por kjo duhet tregohet në fushë.
Nga ana tjetër, Shkendija ka motivet e veta, ata luajnë krejtësisht ndryshe nga ekipet kundër të cilave kemi luajtur deri më tani".