Një ngjarje tragjike ka tronditur Portugalisë, pasi pamjet nga arena e demave në Lisbonë tregojnë momentin kur një dem 700-kilogramësh sulmon dhe përplas për vdekje toreadorin e ri, Manuel Maria Trindade.
22-vjeçari, i njohur si “forcado” – luftëtarët tipikë portugezë që përballen me demin pa armë apo mbrojtje – po bënte debutimin e tij në arenën historike Campo Pequeno, kur gjithçka u kthye në tragjedi.
Pamjet tregojnë Trindade duke u përballur me kafshën dhe duke tentuar të kapte brirët e saj, por në një moment u ngrit në ajër dhe u përplas dhunshëm në murin e arenës. Publiku shpërtheu në ulërima, ndërsa i riu mbeti i shtrirë pa ndjenja.
Mjekët ndërhynë menjëherë dhe e dërguan në spitalin São José, ku u vendos në koma të induktuar. Por dëmtimet në kokë ishin tepër të rënda dhe ai ndërroi jetë brenda 24 orësh, më 23 gusht, pas një arresti kardiak.
Trindade ishte pjesë e grupit amator São Manços, një skuadër tradicionale e forcadove që këtë vit shënonte 60-vjetorin e themelimit, duke ndjekur gjurmët e babait të tij, i cili gjithashtu kishte qenë forcado.
Organizatorët e eventit shprehën “ngushëllimet më të thella familjes dhe grupit të São Manços”, ndërsa pamjet tronditëse po qarkullojnë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Ndërkaq, në një incident të ngjashëm në Spanjë, një burrë u përmbys dhunshëm disa herë nga një dem me brirë të ndezur me zjarr gjatë një festivali tradicional në Valencia, duke rikthyer debatet mbi praktikat e diskutueshme të korridave iberike.