Bashkimi të mërkurën luan në Itali

- Gazeta e Prizrenit

Bashkimi të mërkurën luan në Itali

Skuadrat kosovare të basketbollit zhvillojnë të mërkurën ndeshjet e dyta në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

Kampionia në fuqi, Trepça, e pret në “Minatori” skuadrën gjermane, Braunschweig, në kuadër të Grupit F, nga ora 18:30.

Braunschweigu në ndeshjen e parë fitoi 98:97 ndaj Anwilit polak, ndërsa Trepça humbi në Greqi nga PAOK-u me rezultatin 85:74. Megjithatë, “xehetarët” dhanë sinjale pozitive se janë në rrugën e duhur. Trepça javën e fundit fitoi ndaj Vëllaznimit në Superligë dhe tani synon fitoren e parë në FIBA Europe Cup. Në ndeshjen tjetër të Grupit F do të përballen Anwili dhe PAOK-u.

Klubi i Trepçës ka bërë thirrje për tifozët që ta mbushin “Minatorin” për sfidën e vështirë me skuadrën gjermane, pasi liga gjermane vlerësohet e nivelit të lartë.

Në FIBA Europe Cup paraqitet edhe nënkampioni, Bashkimi. Javën e kaluar ekipi prizrenas pësoi humbje 93:79 nga Cibona në Zagreb. Ndeshja në fakt ishte planifikuar të luhej në Prizren, por me marrëveshje të dy klubeve u zhvillua në Zagreb, pasi palestra “Sezai Surroi” ishte e zënë për shkak të zgjedhjeve. Ndeshja e kthimit me Cibonën do të zhvillohet në Prizren.

Të mërkurën Bashkimin e pret një tjetër udhëtim i vështirë. Nga ora 20:00 në Reggio Emilia të Italisë, skuadra e portokalltë do të luajë me Reggianan. Reggiana në ndeshjen e parë të Grupit J fitoi 96:88 ndaj Dijonit francez.

Secila fitore ka rëndësi të madhe për skuadrat kosovare. Ndërsa Bashkimi debuton në kupat evropiane, Trepça ka përvojë disavjeçare.

Ndërkohë, Sigal Prishtina dhe Peja po garojnë në ENBL, një ligë ndërkombëtare me shumë skuadra, por jo nën strukturat kontinentale të FIBA-s për klube basketbolli.



Read it all at Gazeta e Prizrenit