Një rast i rëndë është duke u hetuar nga organet e rendit në Prizren, ku një vajzë e mitur ka rezultuar të ketë qenë në bashkësi jashtëmartesore me një person të rritur, gjatë kohës sa ishte raportuar si e zhdukur.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimet, rasti fillimisht është paraqitur si “Person i Zhdukur”, deri në momentin kur hetuesit e Sektorit Rajonal kanë arritur të lokalizojnë vendin ku ndodhej e mitura S.K., nën 16 vjeç dhe ta shoqërojnë atë në stacion.
Gjatë deklarimit, e mitura ka thënë se “është martuar” me të dyshuarin L. B. dhe se nuk dëshiron të kthehet në familje.
Megjithatë, për shkak të moshës së saj, deklarimi nuk përbën pëlqim juridik, ndërsa rasti trajtohet si vepër penale.
I dyshuari, sipas burimeve, gjatë intervistimit ka pranuar se ka qëndruar me të miturën gjatë gjithë kohës sa ajo figuroi e zhdukur.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Qendra për Punë Sociale është vënë në dijeni për ndërmarrjen e veprimeve mbrojtëse ndaj së miturës. Hetimet po vazhdojnë. /G. Sinjali