KQZ publikon listën e qendrave të votimit jashtë Kosovës dhe numrin maksimal të votuesve për secilën

- Gazeta e Prizrenit

KQZ publikon listën e qendrave të votimit jashtë Kosovës dhe numrin maksimal të votuesve për secilën

Në mbledhjen e 84-të në këtë vit dhe në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit, i cili do të mbahet më 27 dhjetor 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i vomit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime të vendosura në 36 shtete të botës. Megjithatë, kjo listë do të mund të rishikohet nga KQZ, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike. Gjithashtu, KQZ ka caktuar numrin maksimal 950 votues që mund të regjistrohen për të votuar në një vendvotim në përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto përfaqësi diplomatike është 62,700 votues.

Po ashtu, sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues.

Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit për votimin jashtë Kosovës, të miratuara nga KQZ është 60, me gjithsej 109 vendvotime. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit ëshë 103,550.


KQZ sqaron se kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar.

Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

Periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës ka filluar më 26 nëntor dhe do të përfundojë më 6 dhjetor 2025.



Read it all at Gazeta e Prizrenit