Më 24 dhjetor 2010, nata e Krishtlindjeve i vuri flakën futbollit të Milanos. Massimo Moratti shkarkoi Rafa Benitezin, vetëm pak ditë pasi Interi fitoi Kupën e Botës për Klube, dhe emëroi në krye Leonardo Nascimento de Araujo, ish-lojtar dhe ish-trajner të Milanit.
Vendimi tronditi qytetin, sidomos për simbolikën e kalimit nga kuqezinjtë te Nerazzurrët, në një moment kur Interi ishte ende në majë të botës pas epokës Mourinho.
Benitezi u largua pas një ultimatumi publik, ku deklaroi se “jam një profesionist serioz dhe meritoj respekt… klubi më premtoi përforcime që nuk erdhën”. Moratti reagoi menjëherë dhe i besoi stolin Leonardos, i cili u prezantua me ambicie të hapura: “Nuk do ta harroj kurrë Milanin, por ishte e pamundur t’i thosha jo Morattit… kemi 13 pikë për të rikuperuar dhe besoj se mund ta fitojmë Scudetton.” Në janar erdhën Pazzini, Ranocchia, Nagatomo dhe Kharja, duke ndezur shpresat për rikthim.
Interi iu afrua mrekullisë, por gjithçka u vendos në derbi. Më 2 prill, Milani fitoi 3-0 me dopietë të Patos dhe penallti të Cassanos, duke mbyllur garën për titull. Megjithatë, Leonardo fitoi Kupën e Italisë dhe la një shenjë të fortë: ai mbetet trajneri me mesataren më të lartë të pikëve në historinë e Interit, 2.16 për ndeshje. Një histori e shkurtër, por që ndryshoi përgjithmonë natën e Krishtlindjeve në Milano.