Gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes është vërejtur një qetësi më e madhe në qytet, me lëvizje të pakësuara të qytetarëve, ndërsa një pjesë e tyre kanë shfrytëzuar kohën e fundit për furnizime.
Qyteti është zbukuruar me dekorin tradicional festiv, duke krijuar një pamje karakteristike për fundvit.
Sipas vlerësimeve, shumica e prizrenasve natën e ndërrimit të viteve pritet ta kalojnë në shtëpitë e tyre, kryesisht në rreth të ngushtë familjar. Kjo formë pritjeje është bërë e zakonshme vitet e fundit, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur një pjesë e qytetarëve me gjendje më të mirë ekonomike festonin ndërrimin e moteve në ambiente hoteliere, sivjet fokusi është zhvendosur në ndjekjen e programeve televizive nga shtëpia, të cilat përmes platformave kabllore janë të shumta.
Një pjesë e kohës po ashtu pritet të kalohet në rrjetet sociale, përmes telefonave të mençur, ku qytetarët po postojnë fotografi dhe urime për Vitin e Ri. Në qytet tashmë dëgjohen edhe shkrepje të fishekzjarrëve, teksa urimet për një vit sa më të mbarë po shkëmbehen gjithandej.
Në kuadër të festave, autoritetet kanë paralajmëruar marrjen e masave të nevojshme në institucionet kyçe, përfshirë policinë, shërbimet emergjente dhe zjarrfikësit.