Editorial / Prizreni në një ditë të rëndë: Dy viktima, shtëpi nën ujë dhe rrugë të bllokuara nga reshjet e dendura

- Gazeta e Prizrenit

Editorial / Prizreni në një ditë të rëndë: Dy viktima, shtëpi nën ujë dhe rrugë të bllokuara nga reshjet e dendura

Prizreni dhe rajoni përreth po përballen me një ditë tejet të vështirë, e shënuar nga dy humbje jete dhe gjendje alarmante si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Një burrë rreth 36 vjeç, Faruk Thaçi nga Mamusha, është gjetur i vdekur sot në objektin e tij afarist në lagjen Arbana të Prizrenit.

Sipas informatave fillestare, rasti po trajtohet si vetëvrasje e dyshuar, ndërsa organet kompetente janë duke hetuar rrethanat e ngjarjes.

Po ashtu, një tjetër rast i rëndë është raportuar në Grekoc të Suharekës, ku një femër 46-vjeçare është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Prizrenit, me dyshimin se kishte konsumuar substanca të rrezikshme. Përkundër përpjekjeve mjekësore, viktima ndërroi jetë më pas në QKUK.

Ndërkohë, reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar përmbytje të shumta në Prizren dhe rrethinë, duke futur dhjetëra shtëpi nën ujë, ndërsa shumë familje të tjera po përballen me frikën se banesat e tyre mund të pësojnë të njëjtin fat. Po ashtu, janë raportuar bllokime rrugësh nga uji, zhavorri dhe dheu, raporton Gazeta e Prizrenit.

Gjendja paraqitet veçanërisht alarmante në zona si Hasi, Pirana, Suhareka dhe Malisheva, ku autoritetet lokale dhe ekipet emergjente janë në terren dhe u bëjnë apel qytetarëve për kujdes maksimal.

Në disa pjesë nuk ka energji elektrike shkaku i situatës.

Zyrtarët thonë se situata mbetet në monitorim. / Gazeta e Prizrenit /



Read it all at Gazeta e Prizrenit