Ish-lojtari i Manchester Cityt, Martin Demichelis, ka pasur një përvojë të frikshme gjatë pushimeve në Uruguaj, kur ai dhe fëmijët e tij u morën nga një rrymë e fortë në det dhe u shpëtuan nga surferët vendas.
Ngjarja ndodhi pranë resortit të njohur Punta del Este, në një zonë pa shërbim rojtar plazhi. Në mesin e fëmijëve ishin Bastian (16), Lola (12) dhe Emma (8), si dhe mbesa e tij Camila, të cilët u morën nga rryma dhe u ndihmuan nga banorët dhe surfistët që ndodheshin aty.
Pamjet e shpëtimit kanë bërë xhiron e mediave në Argjentinë dhe Uruguaj, me banorët lokalë që e përshkruajnë si një “mrekulli” që drama nuk përfundoi në tragjedi.
Fëmijët kapeshin pas një dërrase surfi dhe u tërhoqën drejt bregut, ndërsa Demichelis dukej se i shtynte nga pas. Duartrokitje dhe brohoritje dëgjoheshin nga bregu pas përfundimit të shpëtimit.