Skandali i votave në Prizren: Totaj “bombardohet” me kërkesa për shkarkime

- Gazeta e Prizrenit

Skandali i votave në Prizren: Totaj “bombardohet” me kërkesa për shkarkime

Reagimi i kryetarit të Komunës së Prizrenit, njëherësh kryetar i degës së PDK-së, Shaqir Totaj, lidhur me skandalin e evidentuar gjatë procesit të rinumërimit të votave në Prizren, ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Kjo vjen pas “aferës me dyshime për manipulim votash” , ku sipas njoftimeve, kandidatët e PDK-së po prinë me numrin e votave të kontestuara, në mesin e të cilëve edhe drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, që Totaj e ka emëruar së fundmi për herë të dytë në këtë pozitë.

Në një postim në “Facebook”, Totaj është përpjekur të distancohet nga skandali, duke u shprehur “i zhgënjyer” dhe duke premtuar përgjegjësi.

Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake. Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona”, ka shkruar ndër tjera Totaj.

Megjithatë, komentuesit nuk janë bindur nga ky reagim, duke kërkuar veprime konkrete e jo deklarata publike “sa për ta larë gojën”.

Kujt ki mi kërku llogari o Kryetar? Ka 6 mijë vota ma pak po ju dalin kolegëve tu në PDK, a e ki guximin? Edhe përgjegjësin me ju kërkuar llogari edhe drejtoreshës tande. Nëse ke shkrujt se kërkoj llogari, hiq nuk besoj se je rrit me to edhe s’ke guxim, veç shkrim i kot që si qytetar nuk e besoj. Të shohim reagimin tuaj, po ju vëzhgojmë”, ka komentuar një qytetar.

Një tjetër komentues ka kërkuar masa të menjëhershme disiplinore brenda partisë:

Z. Totaj, nëse jeni vërtet të shqetësuar e të zhgënjyer… shkarkoni të gjithë këta të apostrofuar në partinë tuaj! Lejoni të hetohen të gjithë, sepse këtu nuk ka gabime… ka vjedhje 100%, të koordinuara mes kandidatëve e komisionerëve, hap rrugë – shkarko, shpëto zgjedhjet…!”

Edhe komente të tjera kanë vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e partisë në tërësi:

Vetëm nëse i largon nga pozitat dhe udhëheqja e Komunës edhe partisë, atëherë mundemi me thanë që s’keni qenë të përfshirë si parti. Përndryshe, pa këto veprime, le mundësinë që ka qenë e përfshirë edhe partia”, ka shkruar një tjetër qytetar.

Situata rëndohet edhe më tej pas reagimit të Nurie Kollanit, e cila për një kohë ka qëndruar në selinë e PDK-së në Prizren, dhe e cila ka pranuar publikisht se parregullsitë kanë ekzistuar edhe më herët. “Kryetar, kjo mendoj që ka ndodhë gjithmonë, edhe në kohën kur unë kam qenë shumë aktive në strukturat e PDK-së. Kandidatëve nuk ju kanë dalë votat në ato dhoma ku ka votu familja vet, se mos të flasim më shumë”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, një tjetër qytetar ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj kandidatëve të PDK-së në Prizren: “Emrat që i ka pas PDK-Prizren, kurgjo ma shumë s’kam prit se kjo! Besimi 100% u kthye në zhgënjim 100%. Dorëheqja është paaak për këta!!!”  / Gazeta e Prizrenit

Shkrimi i Totajt dhe komentet:



Read it all at Gazeta e Prizrenit