Premtimet e harruara, burrat me “muskuj” dhe gllabërimi i pronës publike

- Gazeta e Prizrenit

Premtimet e harruara, burrat me “muskuj” dhe gllabërimi i pronës publike

Shkruan: Selman Sokoli / Prizren

Të gjithëve na kujtohet shprehja e famshme e Shaqir Totajt, me të cilën ai tentoi ta arsyetojë mospërmbushjen e premtimeve të fushatës zgjedhore. Para Kuvendit Komunal, ai u shpreh përafërsisht kështu: ka kaluar koha e fushatës dhe ajo që kam thënë në fushatë mbetet në fushatë; tani jemi në rrethana të tjera, tani jemi duke qeverisur, pati raportuar portali online “Insajderi”. Kjo fjali, më shumë se çdo analizë tjetër, e përshkruan filozofinë e qeverisjes së Totajt.

Sapo u bë kryetar, ai hoqi dorë lehtësisht dhe pa asnjë ndjenjë përgjegjësie nga premtimet elektorale. Në fushatë punoi me tendera dhe premtime madhore, ndërsa kthimi i tyre në realitet kërkonte përkushtim serioz dhe punë konkrete, diçka që Totaj tashmë ka dëshmuar se nuk e ka prioritet.

Dy prej premtimeve kryesore mbetën plotësisht të parealizuara: projekti i nënkalimit afër Shtëpisë së Bardhë dhe ndërtimi i mbi 800 parkingjeve nëntokësore te Parku i Qytetit. Edhe pse Totaj fitoi një mandat të dytë, këto premtime nuk u përmendën më. U zhdukën bashkë me fushatën.

Një tjetër premtim i parealizuar, i evidentuar edhe nga GAP përmes platformës “Letërnjoftimi i Komunave”, kishte të bënte me barazinë gjinore në emërimin e drejtorëve komunalë, me raport 50/50. Në mandatin e parë, 2021–2025, ky premtim nuk u mbajt. Zgjedhja e një gruaje si kryesuese e Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së e zbuti përkohësisht këtë dështim, por për çudi ajo as nuk u përfshi në listën zgjedhore të PDK-së në zgjedhjet e fundit. Arsyeja mbetet e paqartë: pakënaqësi politike apo refuzim për t’u bërë pjesë e një pushteti të konsumuar nga korrupsioni?

Situata është edhe më problematike në mandatin e dytë. Pushteti lokal në Prizren dominohet pothuajse tërësisht nga burrat. Kryesuesi i Kuvendit dhe dy nënkryetarët janë burra, ndërsa vetëm 3 nga 13 drejtoritë komunale udhëhiqen nga gra. Ky është një disproporcion i rëndë dhe fyes për një qytet si Prizreni, i cili ka dhënë gra të shquara në shoqëri, kulturë dhe politikë.

Kulmi i skandalit u arrit kur vetë Totaj, duke u arsyetuar në Kuvend, deklaroi se gjoja nuk paska gra të shkolluara dhe profesioniste për pozita të larta. Një deklaratë e tillë nuk është thjesht e gabuar; është fyese dhe denigruese, dhe me të drejtë u kritikua ashpër nga opozita.

Duke pasur parasysh se këtë mandat Totaj e fitoi pa një program të shkruar, qeverisja aktuale, me një ekzekutiv të dominuar nga “muskuj të fortë” politikë, rrezikon të jetë edhe më e dobët dhe më e korruptuar se ajo e mandatit të parë. Shenjat e para tashmë janë evidente.

Veçanërisht shqetësues është bashkimi i grupeve të fuqishme të interesit të PDK-së dhe LDK-së në pushtetin lokal. Historia na ka mësuar se këto aleanca nuk formohen për interesin publik, por për zhvatjen e buxhetit dhe gllabërimin e pronës publike. Totaj, që në mandatin e parë, e ka trajtuar pronën publike si plaçkë. Nuk ka asnjë arsye të besohet se këtë herë do të veprojë ndryshe.

( Autori është kuvendar i Vetëvendosjes në KK të Prizrenit ).

P.S.
Shkrimet në këtë rubrikë janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.



Read it all at Gazeta e Prizrenit