Zbulohen mallra të padeklaruara gjatë kontrollit rutinor në Vërmicë

- Gazeta e Prizrenit

Zbulohen mallra të padeklaruara gjatë kontrollit rutinor në Vërmicë
Në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë është realizuar një kontroll i detajuar i një automjeti, pas selektimit për verifikim rutinor nga zyrtarët doganorë, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Pas deklarimit nga drejtuesi i mjetit se nuk posedonte mallra për deklarim, është kryer kontroll fizik i automjetit, me ç’rast në hapësirën e bagazhit janë gjetur 40 tonerë të padeklaruar, për të cilët nuk është paraqitur dokumentacion përcjellës, përfshirë faturë apo dëshmi tjetër të origjinës.
Vlera e përafërt e mallit të evidentuar është rreth 2,300 euro.
Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore, ndërsa malli është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave administrative nga njësitë kompetente.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët dhe operatorët ekonomikë se çdo mall që hyn në territorin e Republikës së Kosovës duhet të deklarohet në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi, dhe se mosdeklarimi përbën shkelje ligjore.


Read it all at Gazeta e Prizrenit