Rasti i 1 milion eurove, Apeli anulon aktvendimin e Themelores për lirimin e 3 të dyshuarve

- Gazeta e Prizrenit

Rasti i 1 milion eurove, Apeli anulon aktvendimin e Themelores për lirimin e 3 të dyshuarve

Më 27 shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë tha se tre të dyshuarit E.A., A.K. dhe A.L. u liruan nga masa e ndalimit sepse Prokuroria nuk paraqiti prova minimale për të mbështetur dyshimin për veprën penale.

Por, këtë vendim e ka anuluar Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, duke e kthyer çështjen penale në rivendosje.

Kjo gjykatë kujton se si Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e datës 27.02.2026, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., të dyshuar për veprën penale “Shpëlarja e parave”, dhe të njëjtit i ka liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri nga data 27.02.2026.

“Kolegji i Apelit ka gjetur se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje që ndërlidhet me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale, për shkak se gjykata e shkallës së parë, me rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim lidhur me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar. Po ashtu, arsyetimi i aktvendimit të ankimuar rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor”, thotë njoftimi i Gjykatës së Apelit.

Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se “gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën e të cilave ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘Shpëlarja e parave’ dhe nuk ka bazë për caktimin e masës së paraburgimit kundër tyre, për shkak se nuk ka bërë një vlerësim të plotë të materialeve që gjenden në shkresat e lëndës në raport me elementet e veprës penale për të cilën dyshohen, andaj Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e ankimuar sepse i njëjti nuk mund të qëndrojë juridikisht si i tillë”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 shkurt tha se tre të dyshuarit E.A., A.K. dhe A.L. u liruan sepse Prokuroria nuk paraqiti prova minimale për të mbështetur dyshimin për veprën penale.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa të pandehurit janë liruar menjëherë, nga momenti i dorëzimit të këtij aktvendimi. Gjykata gjeti se në këtë rast nuk përmbushet kushti thelbësor nga neni 184 paragrafi 1 pika 1 .1 të KPPRK-së, përkatësisht Prokuroria nuk arriti të vërtetojë se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L., kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, pasi sipas Gjykatës në kërkesën e Prokurorisë nuk është përmendur asnjë provë, sado sipërfaqësore, në të cilën Prokuroria e mbështet pretendimin e saj lidhur me dyshimin e bazuar”, thuhej në njoftimin e Themelores.

Andaj, tha kjo gjykatë, duke u gjendur në këtë situatë dhe në mungesë të materialit provues, gjykata është e obliguar të zbatojë nenin 163 par.3 të KPPRK-së dhe të lirojë të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L.

Prokuroria Speciale njoftoi më 24 shkurt se janë ndaluar tre persona të dyshuar, E.A, A.K dhe A.L., të cilët ishin kapur me 1 milion euro të fshehura poshtë një furgoni në pikë-kalimin në Merdar, derisa po hynin nga Serbia për në Kosovë.

“Të dyshuarit A.L.,A.K., dhe E.A janë ndaluar në pikëkalimin kufitar në Merdare, pasi gjatë një kontrolli të përbashkët të realizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në një automjet që drejtohej nga njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një shumë e madhe parash. Sipas vlerësimeve fillestare, dyshohet se shuma arrin në një milion euro. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit