FC Liria ka reaguar pas ndeshjes ndaj KF Vushtrria, duke kundërshtuar vendimin për anulimin e golit të shënuar nga Dijar Nikqi.
Në reagimin zyrtar, klubi prizrenas thekson se goli i Nikqit është anuluar gabimisht nga gjyqtari Rrezart Hasani, i cili ka pretenduar për faull në aksion. Sipas klubit, nga pamjet e ndeshjes shihet qartë se nuk ka pasur faull nga lojtari i Lirisë, ndërsa kontakti ka qenë ndaj tij.
Nga Liria theksojnë se, nëse goli nuk do të duhej të pranohej, atëherë situata duhej të ndëshkohej me penallti në favor të ekipit prizrenas.
Klubi ka shprehur gjithashtu shqetësim për faktin se, ndonëse në këtë ndeshje ishte në funksion sistemi VAR (Video Assistant Referee) me gjyqtarin Ilir Mehmeti, vendimi i marrë ka ngritur dyshime dhe, sipas tyre, dëmton besimin në drejtësinë sportive.
“Klubi ynë nuk do të heshtë përballë padrejtësive të tilla”, thuhet në reagimin e KF Liria Prizren.