Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të vjedhjes së rëndë të raportuara më 8 mars 2026 në lagjen Dardani në Prizren.
Sipas policisë, në rastin e parë persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një shtëpi dhe kanë vjedhur stoli ari si dhe para të gatshme në vlerë rreth 27 mijë euro, sipas deklarimit të viktimës, raporton Gazeta e Prizrenit.
Ndërkaq, në rastin e dytë, gjithashtu në një shtëpi të kësaj lagjeje, hajdutët kanë hyrë përmes një dritareje dhe kanë vjedhur stoli ari dhe para të gatshme në vlerë rreth 25 mijë euro, gjithnjë sipas deklarimit të viktimës.
Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se të dy vjedhjet kanë ndodhur gjatë kohës së iftarit, kur në shtëpi nuk ka pasur persona prezent.
Në vendngjarje kanë dalë patrullat policore, hetuesia dhe njësitë e forenzikës, ndërsa për rastet janë njoftuar edhe hetimet rajonale, raporton Gazeta e Prizrenit
Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Stacioni Policor Prizren Veri në bashkëpunim me Sektorin Rajonal të Hetimeve, janë duke punuar për zbardhjen e këtyre rasteve dhe identifikimin e të dyshuarve.
Policia njëkohësisht u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë kësaj periudhe, kur dalin për iftar apo për vizita familjare, të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e shtëpive të tyre. Rekomandohet që të lihen dritat e ndezura, të mbyllen mirë dyert dhe dritaret, si dhe të kujdesen për ruajtjen e gjërave me vlerë, si stolitë e arit dhe paratë e gatshme. /Gazeta e Prizrenit