Vllaznia, pas humbjes me Flamurtarin, do të luajë të premten në fushën e Egnatias, që e kërcënon për kreun e renditjes, pasi diferenca është vetëm dy pikë.
Me nisjen e fazës së katërt, çdo pikë vlen, dhe një fitore me një rival direkt është tepër e rëndësishme për shkodranët.
Mbrojtësi Elmando Gjini thotë para ndeshjes se tre pikët janë synimi i Vllaznisë.
“Është një ndeshje shumë e vështirë. Ambicia jonë është për të fituar.
Ne kemi marrë pikë ndaj ekipeve të forta dhe kemi humbur ndaj atyre të vendeve të fundit”, tha Elmando Gjini, futbollist i Vllaznisë.
Në sfidat e mëparshme të këtij sezoni me Egnatian, Vllaznia ka fituar dy, ndërsa një takim ka përfunduar në barazim. Java e 28 e Superiores do të luajë ndeshjet e tjera të shtunën dhe të dielën.