Topin e futbollit e ka si shokun e tij më të ngushtë.
Është vetëm 10-vjeçar, por ka një eksplozivitet të jashtëzakonshme në lojë.
Është ky vogëlushi Malik Muslia i lindur në Haracinë, më 17 prill 2015, por me ëndërra të mëdha para vetes.
Ai akualishtë është pjesë e FC Albion nga Shkupi, ku trajner i tij është Burim Miftari, ndërsa karrierën e ka nisur te Shkëndija e Haracinës.
“Maliki është futbollist i talentuar i gjeneratës 2015 te FC Albion – Shkup, i cili iu bashkua klubit tonë nga radhët e KF Shkëndija e Haraçinës.
Si trajner, mund të them se Maliku dallohet për shpejtësinë dhe eksplozivitetin që posedon në fushën e lojës.
Me punën dhe përkushtimin që tregon çdo ditë, besoj se në të ardhmen ai mund të arrijë të luajë edhe në një nga klubet e mëdha të futbollit”, thotë trajneri i tij Miftari.
Muslia luan në pozitën e sulmuesit anësor. Ai shquhet edhe për shpejtësi, driblime dhe instikt për gol!
Dëshira e madhe për futbollin nisi qysh në moshë të vogël, kurse familja e tij ka qenë një shtytje e madhe.
Si cdo i ri edhe Maliki ka ëndrrat e tij si fëmijë. Ai dëshiron që një ditë të ndjekë hapat e yllit të Real Madridit-brazilianit Vinicius– admiruesit të tij, kurse Real Madridin e ka klub të zemrës.
Po ashtu kur të rritet ëndërron të vesh edhe fanellën e Kombëtares shqiptare.
Tani si i vogël, së bashku me prindin e tij, e ndjek pothuajse çdo ndeshje të Shkëndijës së Haraçinës, duke qenë një tifoz i flaktë i saj.
Muslia ende është në fillim të rrugës, por hapat e tij po duken gjithnjë e më qartë.
Me talentin dhe punën e palodhur shpresojmë të ndërtojë një karrierë të suksesshme.