Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka anuluar samitin e shefave të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Kroacinë dhe Slloveninë që është dashur të zhvillohej në muajin maj në ishullin kroat Brijoni.
Milanoviq si arsyetim për anulimin e samitin e ka përmendur mosekzistimin e kushteve që në atë takim të ftohet edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkak të deklaratave të tij kohëve të fundit.
“Prononcimet politike dhe veprimet e ditëve dhe javëve fundit të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Procesit Brdo-Brijoni, ato i dëmtojnë raportet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti Milanoviq është i mendimit se në rrethanat e tilla nuk ekzistojnë kushtet dhe nuk është e mundshme ardhja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kroaci”, citon “Jutarnji list” njoftimin nga zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë.
Samiti i fundit Brdo-Brijon ishte zhvilluar në vjeshtë të vitit të kaluar në Tiranë, ku kishin marrë pjesë të gjithë presidentët e vendeve të rajonit, përfshirë edhe presidentin e Serbisë Vuçiq.
Nisma Brdo-Brojoni është një forum i përbashkët i iniciuar nga dy vendet e BE-së, Kroacia dhe Sllovenia, për t’i ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE. Integrimin e rajonit në BE edhe Kroacia edhe Sllovenia e kanë identifikuar si interes të tyre strategjik.
Përveç nismës Brdo-Brijoni, që është në nivel të presidentëve të shteteve, Sllovenia dhe Kroacia kanë pasur një nismë tjetër në nivel të kryeministrave atë të “Procesit të Brdos”. Por, “Procesi i Brdos” është shkrirë tashmë në Procesin e Berlinit të iniciuar nga Gjermania dhe Austria, së bashku me Kroacinë dhe Slloveninë ku marrin pjesë edhe vende tjera të BE-së.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe mediat e tija së fundi kanë nisur një fushatë luftënxitëse kundër Kroacisë, duke akuzuar këtë shtet se qëndron prapa tentimeve për revolucion dhe shembje të pushtetit në Serbi, dhe se së bashku me Shqipërinë dhe Kosovën, Kroacia po planifikon ta sulmojë Serbinë.
Për shumë vite Kroacia nuk e ka ftuar për vizitë presidentin e Serbisë, Vuçiq dhe nuk i ka dhënë leje as për vizitë private. Vetëm një herë Vuçiq mori pjesë në një samit në Dubrovnik, por ai takim ishte në kuadër të konferencës për ndihmë Ukrainës.