Në Prizren e disa fshatra, vitet e fundit po vërehet gjithnjë e më shumë dukuria e personave që jetojnë të vetëm në banesa, një fenomen që më parë nuk ka qenë aq i theksuar, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Kjo situatë ngre pyetje nëse bëhet fjalë për pasojë të migrimit, braktisjes së të moshuarve apo një standardi të ri jetese, të ngjashëm me atë në vendet perëndimore. Shenjat e kësaj mënyre jetese janë reflektuar edhe në rastet kur disa persona janë gjetur të vdekur në banesat e tyre, ndërsa raste të tilla duket se janë në rritje.
Nga informacionet e siguruara nga Gazeta e Prizrenit prej Policisë Rajonale të Prizrenit, nga viti i kaluar e deri tash janë evidentuar gjithsej 15 raste të personave të gjetur pa shenja jete në banesat e tyre. Një pjesë e madhe e rasteve dyshohet se kanë ndodhur si pasojë e vdekjes natyrore, ndërsa katër raste janë duke u hetuar si vetëvrasje.
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 11 raste të personave të gjetur të vdekur në shtëpitë e tyre.
Deri më tani, gjatë vitit 2026 janë evidentuar 4 raste të ngjashme.
Të gjitha rastet mbeten nën hetim, pasi ende nuk ka raporte përfundimtare nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes./ Gazeta e Prizrenit