Gjatë ditës së nesërme duke filluar nga ora 09:30 në Gjykatën Themelore të Prizrenit, mbahet seanca gjyqësore lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit Auron Thaqi, i cili humbi jetën një vit më parë si pasojë e një therjeje me thikë.
Për këtë rast, janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim dy persona: Enes Ay dhe Hajrullah Brcani.
Enes Ay po hetohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, e cila ka rezultuar me vdekjen e Auron Thaqit. Ndërsa Hajrullah Brcani po mbahet për veprat penale “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Ngjarja kishte tronditur opinionin publik për shkak të rrethanave të rënda dhe dyshimeve për përfshirjen e personave që njiheshin nga afër me viktimën. Një vit pas tragjedisë, familja e Auronit vazhdon të kërkojë drejtësi, ndërsa rasti do të shqyrtohet nesër në gjykatë.