Editorial: A u mashtrua partneri qeverisës dhe opozita në Prizren në rastin e Arben Shalës në komisionin për drejtorë?

- Gazeta e Prizrenit

Editorial: A u mashtrua partneri qeverisës dhe opozita në Prizren në rastin e Arben Shalës në komisionin për drejtorë?

Kuvendi Komunal i Prizrenit, në mbledhjen e mbajtur dy javë më parë, ka miratuar formimin e komisionit përzgjedhës të DKA-së ( për drejtorë dhe zv/drejtorë të shkollave). Në përbërjen e prezantuar atëherë nuk figuronte sërish emri i përfaqësuesit të shoqërisë civile, Arben Shalës, çka ishte parë si tërheqje nga përfshirja e tij në procese të ndjeshme të arsimit.

Për këtë përbërje kishte votuar edhe LDK-ja, si pjesë e koalicionit qeverisës me PDK-në, ndërsa opozita nga Vetëvendosje, dha deklarata përshëndetëse për mospërfshirjen në komision të “trikaxhisë” siç e quajnë Shalën, shkruan Gazeta e Prizrenit.”

Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë hapur dilema të reja. Dy ditë më parë, Gazeta e Prizrenit raportoi se Shala është përfshirë në komisionin që po bën vlerësimin e performancës së drejtorëve aktualë të shkollave, të cilët kanë aplikuar për vazhdimin e mandatit. Ky komision është caktuar nga DKA-ja dhe përbëhet edhe nga dy anëtarë të tjerë, që edhe është konfirmuar  zyrtarisht.

A ishte ky një kalkulim i pushtetit në Prizren?

Emri i Arben Shalës kishte qenë subjekt polemikash edhe më herët. Para tri vitesh, ai ishte përfolur pas publikimit të një audio-incizimi në media, që lidhej me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në Prizren. Opozita e atëhershme, LDK-ja dhe Vetëvendosje, kishin reaguar ashpër, duke ngritur dyshime edhe për mjetet financiare në formë subvencionesh që Shala kishte përfituar nga Komuna përmes një OJQ-je, të cilat, sipas pretendimeve të kohës, mund të ishin përdorur për ndikim në proceset arsimore dhe përfitime tjera nga subvencionet për shërbime ndaj pushtetit nga Shala.

Ironikisht, pikërisht opozita që dikur e kishte kritikuar Shalën dhe që kishte përshëndetur mospërfshirjen e tij në komisionin e ri, duket se nuk ka qenë në dijeni për rikthimin e tij në një proces tjetër të rëndësishëm brenda arsimit.

A ishte kjo një lëvizje e kalkuluar politike apo një “trik” tjetër, për siç është cilësuar shpesh Shala, nga partitë opozitare? Shtrohet pyetja: a u “mashtruan” partneri qeverisës, LDK-ja, si dhe opozita në Prizren nga PDK-ja në këtë proces?! / Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

Zyrtare: Arben Shala, i përfolur për “kurdisje” në konkurs, sërish në komisionin për drejtorë shkollash në Prizren



Read it all at Gazeta e Prizrenit