SPAK çon për gjykim tre ish-punonjës policie, dyshohen për lidhje me trafik dr*oge

- Gazeta e Prizrenit

SPAK çon për gjykim tre ish-punonjës policie, dyshohen për lidhje me trafik dr*oge

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës policie, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas SPAK, të pandehurit Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj akuzohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë viteve 2019–2021 në zona të ndryshme të Shqipërisë kanë vepruar grupe të strukturuara kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit drejt Greqisë. Në një rast të dokumentuar më 7 mars 2020, në Qafë Botë, u sekuestrua një sasi e madhe narkotikësh me vlerë të konsiderueshme.

SPAK thekson se të pandehurit, në cilësinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, dyshohet se kanë ndihmuar aktivitetin kriminal duke dhënë informacione dhe duke mos ndërmarrë veprime për parandalimin e tij.

Sipas hetimeve, këto veprime kanë dëmtuar funksionimin e strukturave policore dhe kanë cenuar besueshmërinë e institucioneve të rendit publik.

Çështja tashmë do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ndërsa të pandehurit do të përballen me akuzat e ngritura ndaj tyre.



Read it all at Gazeta e Prizrenit