Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se aksioni është realizuar në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, është zhvilluar një aksion në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajit, ku si rezultat janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas autoriteteve, gjatë operacionit janë arrestuar katër persona të dyshuar. Njëri prej tyre është shtetas i Republikës së Kosovës, dy janë shtetas të Republikës së Serbisë, ndërsa njëri shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në komunikatë.
Përveç sasisë së narkotikëve, gjatë aksionit janë sekuestruar edhe dy automjete dhe një kamion, të cilat dyshohet se janë përdorur në aktivitetet e kundërligjshme.
“Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy vetura dhe një kamion”, njofton Prokuroria.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me qëllim sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.