Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi rajonal i Policisë për Prizren, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se sot, rreth orës 09:00, Policia ka pranuar informatën se në ambulancën e lagjes Arbana ishte dërguar pa shenja jete një mashkull.
Menjëherë pas njoftimit, njësitë policore kanë dalë në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa po punonte në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës. Si pasojë e lëndimeve të marra, ai ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, si dhe Inspektorati i Punës. Në koordinim me institucionet përkatëse, Policia e Kosovës po zhvillon hetime për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.