Tre persona janë gjobitur me nga 500 euro secili, u janë shqiptuar nga pesë pikë negative dhe u është ndaluar drejtimi i automjeteve për një vit, pasi u kapën duke zhvilluar gara shpejtësie në rrugët e Prizrenit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të datës 07.07.2026, rasti ka ndodhur më 04.07.2026, rreth orës 01:45, kur patrullat e Stacionit Policor në Prizren kanë hasur tre automjete duke bërë gara shpejtësie në rrugën “Adem Jashari”.
Policia bëri të ditur se të tre kundërvajtësit, dy burra dhe një grua, janë ndaluar në vendin e ngjarjes.
Përveç gjobës prej 500 eurosh për secilin, atyre u janë shqiptuar pesë pikë negative, u është ndaluar drejtimi i automjeteve për një vit, ndërsa patentë-shoferët janë sekuestruar dhe automjetet janë larguar nga qarkullimi.
Policia e Kosovës rikujtoi se mosrespektimi i rregullave të komunikacionit rrugor rrezikon jetën e ngasësve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
“Gara me shpejtësi në rrugët publike janë veprime jashtëzakonisht të rrezikshme dhe nuk tolerohen në asnjë rast”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia theksoi se mbetet e përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe rregull në rrugë për të gjithë qytetarët./Kallxo.com