Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, ai, në kuadër të kontratës në vlerë të përgjithshme prej 28,650.00 euro, për realizimin e projektit të lartëcekur, ka nënshkruar pagesën në vlerë prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, duke konstatuar se punimet ishin realizuar sipas paramasës dhe parallogarisë, ndonëse në terren ato nuk ishin kryer në përputhje me kontratën dhe nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për kolaudim apo për ndryshim të punimeve. Me këto veprime, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material në shumën prej 5,000 euro, dëm i cili është vërtetuar edhe me ekspertizën e ndërtimtarisë.
Ndërkaq, i pandehuri A.M., në cilësinë e personit përgjegjës të operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., me dashje, nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata e prokurimit publik për realizimin e projektit “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, ai ka pranuar pagesën në shumën prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, ndonëse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm material.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartëcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, njofton Prokuroria.