MASh u bën thirrje prindërve të aplikojnë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore

- Gazeta e Prizrenit

MASh u bën thirrje prindërve të aplikojnë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore

Deri të premten, 102.897 prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar përmes platformës e-Kosova për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) u ka bërë thirrje prindërve që ende nuk kanë aplikuar ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që mjetet financiare të transferohen me kohë në xhirollogaritë e tyre.

“Deri në orëm 16:00 të ditës së sotme  kanë aplikuar 102.897 prindër. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026. U bëjmë thirrje të gjithë prindërve që ende nuk kanë aplikuar në e-Kosova për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën që ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që Ministria të ketë mundësi të realizojë me kohë dhe sa më shpejt transferimin e mjeteve financiare në xhirollogaritë e prindërve, që në shtator secili nxënës ta nisë mësimin i pajisur me libra”, ka deklaruar drejtoresha për Arsimin Parauniversitar në MASh, Anita Kadriu.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë gjithë procesit të aplikimit qytetarëve u është ofruar mbështetje e vazhdueshme për çdo paqartësi apo vështirësi të hasur.

“Procesi i aplikimit po zhvillohet me sukses dhe deri më tani ka rrjedhur pa pengesa, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm me stafin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Gjatë gjithë procesit, qytetarëve u është ofruar mbështetje e vazhdueshme për çdo paqartësi apo vështirësi të hasur gjatë aplikimit, duke siguruar vazhdimësinë e procesit pa vonesa”, tha Kadriu.

Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit/aplikuesit.

“Para se të aplikojnë, por edhe ata prindër që tashmë kanë aplikuar, i lusim të sigurohen që xhirollogaria e tyre bankare është aktive dhe e saktë, si dhe që të dhënat në e-Kosova janë të përditësuara”, shtoi ajo.

Kadriu bëri të ditur se aplikimi do t’u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit.

“Për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Republikës së Kosovës, MASh do t’ia dorëzojë ASHI-së listën e këtyre rasteve me qëllim të krijimit të qasjes në e-Kosova për aplikim. Dokumentet për këtë kategori prindërit mund t’i dërgojnë me email në adresën libri@rks-gov.net, por edhe në formë fizike në MASh”, tha ajo.

Sipas MASh-it, të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar.



Read it all at Gazeta e Prizrenit