Prizren: Opozita kërkon hetime për ndarjen e subvencioneve nga Komuna: “Njëri nga anëtarët e komisionit ia ndau vetes 28 mijë euro”

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Opozita kërkon hetime për ndarjen e subvencioneve nga Komuna: “Njëri nga anëtarët e komisionit ia ndau vetes 28 mijë euro”

Kuvendarët e opozitës nga Vetëvendosje, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, kanë ngritur shqetësime lidhur me procesin e ndarjes së subvencioneve për kulturë, rini dhe sport, duke kërkuar hetim nga organet kompetente për mënyrën e vlerësimit dhe përzgjedhjes së përfituesve, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Kuvendarja Dafina Alishani tha se ka pasur ankesa të shumta nga organizata të ndryshme, duke pretenduar se procesi është shoqëruar me konflikt interesi dhe diskriminim.

Ajo pretendoi gjithashtu se një nga anëtarët e komisionit vlerësues i ka ndarë vetes 28 mijë euro fonde. “Komisioni i dha vetes subvencione, një shumë prej 28 mijë eurosh. Ka OJQ që nuk i njeh fare komuniteti, por vetëm pushteti, sepse atyre u është thënë të konkurrojnë. Ka pasur shumë ankesa, konflikt interesi dhe janë diskriminuar shumë organizata”, deklaroi ajo.

Sipas saj, një organizatë me 25-vjet aktivitet është lënë anash, ndërsa një tjetër, që sipas saj “është krijuar për qejf të kryetarit”, ka përfituar 125 mijë euro.

Edhe kuvendari Ilir Gashi ngriti dyshime për mënyrën e vlerësimit të projekteve, duke thënë se komisioni e kishte të përgatitur paraprakisht listën e fituesve.

“Duket se ky komision e ka pasur listën e gatshme se kush do të fitojë. Kemi të bëjmë me 900 mijë euro të keqpërdorura. Në listën e pikëzimit, anëtarët kanë bërë pothuajse vlerësime identike, gjë që ngre dyshime serioze. Shpresoj që organet e hetuesisë të merren me këtë komision”, tha ai.

Gashi shtoi se, sipas pretendimeve të tij, rreth 300 mijë euro kanë përfunduar te organizata të lidhura me rrethin e ngushtë të kryetarit të komunës ose bashkëpunëtorëve të tij.

“Ka organizata që janë regjistruar pasi është hapur thirrja për subvencione, se disa prej tyre janë të lidhura me familjarë ose janë “shoqata fantazmë”, pa aktivitet të dëshmuar. Një klub që garon në Ligën e Tretë ka përfituar 24 mijë euro, ndërsa klube të boksit dhe notit, të cilat marrin pjesë në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, nuk kanë përfituar fare”, tha ai.

Ndërkaq, kuvendari Selman Sokoli deklaroi se disa anëtarë të komisionit kanë qenë në konflikt interesi, duke pretenduar se të paktën dy prej tyre kanë nënshkruar deklarata të rreme. Ai kërkoi që rasti të trajtohet nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar të gjitha pretendimet e ngritura në seancë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit