Nëntë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në fshatin Korenicë të Gjakovës.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:30, ku janë përfshirë dy automjete.
“Ju njoftojmë se sot, rreth orës 13:30, ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Korenicë, Gjakovë, ku janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e aksidentit, nëntë persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërkohë, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke u marrë me rastin për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.