100 mijë euro mund të kushtojnë këshillat në Kosovë, po qe se janë të vlefshme, posaçërisht nëse ato vijnë nga bashkëpartiakë.
Kaq është vlerësuar tenderi për konsulencë që Komuna e Prizrenit e udhëhequr nga Shaqir Totaj i PDK-së, ia ka dhënë Edon Canës, ish kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit e ish kandidatit për deputet nga kjo parti.
Kontrata thotë se Cana, do të jetë këshilltar për Investime Strategjike, dhe koordinim të projekteve në drejtorinë e Administratës.
Canës përvec tenderit, Totaj i kishte dhënë mbështetje gjatë fushatës për deputet, por kjo nuk kishte mjaftuar që i njëjti të siguronte ulëse në Kuvend.
Cana nuk ia kishte dalë as të bëhet Kryetar Komune i Rahovecit në 2025-tën kur u kandidua nga PDK-ja.
Megjithatë tenderin 98 mijë eurosh, pranon se e ka marrë, veçse mohon të ketë pasur ndikim politik, pasi sic deklaron për VOX-in, perzgjedhja ishte meritore.
“Është ekspertiza, është historia jem. Unë i kam koordinu 1.2 miliard euro në emër të Qeverisë, janë projekte që sot kanë lënë gjurmë, në krejt Kosovën. Ka edhe projekte tjera, në Prziren për shembull, për Komunën e Prizrenit, i kena siguru kamionët për mbeturina, kantat e vërllogut. Sot nëpër Prizren shëtiten ato kamiona që i kam siguru në atë kohë… Po më vjen keq që po politizohet kjo… Për mu puna primare është me u marrë me sigurimin e fondeve qysh aty kërkohet e jo me u marrë me politikë”, i tha Cana, VOX-it.
Edon Cana që është kunat i Vlora Çitakut, ka shërbyer më herët si ish-konsull i Kosovës në Strasburg e ish ambassador në Bullgari./Vox Kosova