Një grabitje nën kërcënimin e armës ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Rahovec, ku një person i maskuar dyshohet se ka hyrë në një shtëpi dhe, pasi ka kërcënuar viktimën me pistoletë, i ka marrë stolitë e arit dhe para të gatshme.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 17 gusht, rreth orës 22:25, në rrugën “Luftëtari”, përkatësisht në Lagjen e Epërme të Rahovecit.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, viktima është K.K., 44-vjeçare, e cila është përballur me grabitësin brenda shtëpisë së saj.
I dyshuari, identiteti i të cilit ende nuk dihet, dyshohet se kishte maskë në fytyrë dhe ishte i armatosur me pistoletë. Nën kërcënimin e armës, ai ka arritur t’ia marrë viktimës një sasi stolish ari.
Pre e grabitjes kanë qenë katër unaza, një zinxhir qafe me pllakë të shqiponjës, një palë vathë dhe dy byzylykë, të gjitha nga ari, si dhe 20 euro para të gatshme.
Pas grabitjes, personi i maskuar është larguar nga shtëpia dhe ka ikur në këmbë në drejtim të panjohur.
Rasti ka mobilizuar disa njësi policore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Stacionit Policor në Rahovec, NJRSH-ja, si dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë nisur veprimet për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit.
Deri në informacionet e fundit të siguruara nga Sinjali, nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa identiteti i personit të dyshuar mbetet i panjohur.
Hetimet për zbardhjen e plotë të grabitjes dhe kapjen e autorit po vazhdojnë.