Vidhet trafoja e Hidroregjionit Jugor në Suharekë – dëmi rreth 10 mijë euro, hajnat vepruan pa u kapur nga kamerat

- Gazeta e Prizrenit

Vidhet trafoja e Hidroregjionit Jugor në Suharekë – dëmi rreth 10 mijë euro, hajnat vepruan pa u kapur nga kamerat

Një trafo elektrike në vlerë rreth 10 mijë euro është vjedhur gjatë natës në fshatin Greikoc të Suharekës, mëson Sinjali.

Trafoja ishte pronë e Hidroregjionit Jugor – Njësia në Suharekë, ndërsa vjedhja është raportuar në Polici më 19 gusht nga përgjegjësi i kësaj njësie.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, persona ende të paidentifikuar kanë shfrytëzuar orët e natës për ta marrë trafon nga vendi ku ishte e instaluar dhe më pas janë larguar pa u identifikuar.

Përgjegjësi i njësisë ka deklaruar se dëmi i shkaktuar nga vjedhja llogaritet në rreth 10 mijë euro.

Një rrethanë që mund ta vështirësojë identifikimin e autorëve është fakti se hapësira ku ndodhej trafoja, sipas raportimit, nuk ishte e siguruar dhe as nën mbikëqyrjen e kamerave të sigurisë.


Pas raportimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore.

Rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërsa deri në këtë fazë nuk raportohet për persona të dyshuar apo të arrestuar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata



Read it all at Gazeta e Prizrenit