Tenderi u miratua, u shpall dhe u anulua për mungesë parash, Totaj pa përgjigje konkrete

- Gazeta e Prizrenit

Tenderi u miratua, u shpall dhe u anulua për mungesë parash, Totaj pa përgjigje konkrete
Komuna e Prizrenit e nisi një tender trevjeçar për sigurimin fizik të objekteve të shëndetësisë, duke deklaruar zyrtarisht se projekti do të financohej nga kodi i planifikuar buxhetor. Por, çuditërisht vetëm pak muaj më vonë, e njëjta komunë e anuloi procedurën duke pranuar se mjetet buxhetore nuk ishin më në dispozicionraporton portali Front Online.

Dokumentet e siguruar nga portali Front Online nxjerrin në pah një seri vendimesh që ngrenë pikëpyetje serioze mbi planifikimin financiar dhe mënyrën se si është inicuar aktiviteti i prokurimit. Tenderi me numër 622-26-4204-2-1-1, për “Sigurimin Fizik të objekteve të KPSH-së”, ishte shpallur si procedurë e hapur dhe kontratë publike kornizë. Njoftimi për kontratë ishte publikuar në platformën elektronike të prokurimit më 4 qershor 2026. Por, rruga deri te shpallja e tenderit kishte kaluar përmes dy vendimeve të kryetarit të Komunës, Shaqir TotajMë 26 mars 2026, Totaj kishte miratuar kërkesën e Drejtorisë së Shëndetësisë për sigurimin fizik të objekteve të kujdesit parësor. Në vendim përcaktohej se kontrata do të ishte trevjeçare dhe se projekti do të realizohej nga kodi i planifikuar buxhetor i Drejtorisë së Shëndetësisë.

Më pas, më 21 maj 2026, kryetari nxori një vendim tjetër për të njëjtën çështje. Edhe aty u përsërit se kontrata do të ishte trevjeçare dhe se financimi do të bëhej nga buxheti i planifikuar i Drejtorisë. Por, me të njëjtin vendim u anulua vendimi paraprak i 26 marsit. Kjo do të thotë se, para se tenderi të shpallej, Komuna kishte kaluar nëpër dy akte zyrtare për të njëjtin projekt dhe në të dyja kishte konfirmuar ekzistencën e bazës buxhetore. Më 14 gusht 2026, Komuna e Prizrenit publikoi njoftimin për anulimin e aktivitetit. Sipas dokumentit, tenderi është anuluar para hapjes së ofertave. Ajo që e bën rastin edhe më problematik është arsyetimi financiar. Në dokumentin e anulimit, vetë Drejtoria kërkon që procedura të ndërpritet për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore në kategorinë mallra dhe shërbimeduke theksuar se mjetet janë marrë nga përmbaruesi.

Sipas Komunës, për shkak të vlerës së projektit dhe “trendit të marrjes së mjeteve buxhetore nga ana e përmbaruesit”, realizimi i kontratës do të ishte i pamundur edhe për vitet në vijim. Kjo krijon një kontradiktë të qartë në dokumentacionin institucional. Në mars dhe maj, Komuna deklaron se projekti realizohet sipas kodit të planifikuar buxhetor. Në qershor e shpall tenderin.

Në gusht e anulon procedurën me arsyetimin se mungojnë mjetet për realizimin e saj. Madje, në formularin e anulimit, Komuna e arsyeton ndërprerjen me “ngjarje dhe/apo arsye objektive dhe të demonstrueshme” jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të paparashikueshme në momentin kur ishte iniciuar aktiviteti i prokurimit.

Për këtë çështje, Front Online i ka dërguar pyetje Komunës së Prizrenit. Në këtë rast, përgjigjen e ka kthyer drejtpërdrejt kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Megjithatë, Totaj nuk u është përgjigjur konkretisht pyetjeve të portalit dhe nuk ka dhënë sqarime për kontradiktën mes vendimeve për financimin e projektit dhe anulimit të mëvonshëm për mungesë të mjeteve. Ai është mjaftuar me vetëm një fjali të shkurtër: “Besoj se e din si duhet vepruar në kësi raste për të menaxhuar sa më mirë”, ka shkruar Totaj në përgjigjen e tij.



Read it all at Gazeta e Prizrenit