Instituti për Aksion Afirmativ ka mbajtur të mërkurën një aksion simbolik pranë zyrave të Inspektoratit Qendror të Punës, duke ngritur shqetësimin për vazhdimin e rasteve të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës dhe, sipas tyre, mungesën e masave të mjaftueshme për rritjen e sigurisë në vendpunishte, raporton Ekonomia Online.
Në këtë aksion, Lisjan Perolli nga Instituti për Aksion Afirmativ tha se siguria e punëtorëve nuk ka qenë prioritet i institucioneve përgjatë viteve të fundit, ndërsa numri i viktimave, sipas tij, dëshmon se problemi është shndërruar në fenomen.
“Sot jemi para Inspektoratit Qendror të Punës, i cili është institucion që tregon më së miri se qysh ky pushtet edhe kjo qeveri e ka trajtuar punëtorin përgjatë këtyre tri viteve. Siguria e jetës së punëtorëve nuk ka qenë asnjëherë synim dhe në të njëjtën kohë nuk është ndërmarrë asnjë hap i rëndësishëm që e ka trajtuar këtë çështje, e cila është shndërruar në fenomen”, tha Perolli.
Perolli tha se vetëm gjatë vitit 2026, 20 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës. Ai përmendi edhe rastin e fundit në Zubin Potok, ku sipas tij, jetën e ka humbur një 27-vjeçar.
“Dje një punëtor e humbi jetën në vendin e punës në Zubin Potok, një 27-vjeçar. Është punëtori i 20-të që vetëm në vitin 2026 e ka humbur jetën. Pra, punëtori i 20-të. Prej vitit 2021 deri në vitin 2026, 99 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës për shkak të rrezikshmërisë në vendpunishte”, thotë ai.
Ai kritikoi qasjen e institucioneve, duke thënë se gjatë viteve të fundit fokusi kryesor i Qeverisë ka qenë te rritja e numrit të inspektorëve, por sipas tij, kjo nuk është realizuar në përmasat e premtuara.
“Edhe ne, të vetmen gjë që kemi dëgjuar prej qeverisë përgjatë këtyre viteve është inspektimi edhe rritja e numrit të inspektorëve. Herë thanë që inspektorët kanë me u rritë në numër në 400, pastaj thanë kanë me u dyfishuar, pastaj thanë kanë me u trefishuar, edhe si rrjedhojë në zgjedhjet e fundit thanë që numri i inspektorëve ka me mbërritur në 200. Por përgjatë krejt këtyre viteve, numri ka mbetur po i njëjtë, pak mbi 50”, thekson ai.
Sipas Perollit, rritja e numrit të inspektimeve është e rëndësishme, por nuk mund të jetë e vetmja masë për parandalimin e fataliteteve në vendin e punës.
“Që të jemi të qartë, inspektimi edhe rritja e numrit të inspektorëve është shumë e rëndësishme, ama është edhe e pamjaftueshme. Viti i kaluar ka shënuar rekord për vdekjet e punëtorëve — 37 punëtorë kanë vdekur — por në të njëjtën kohë është rritur tepër shumë numri i inspektimeve në vendpunishte. Kjo tregon që është e pamjaftueshme me pasë synim vetëm inspektimin edhe vetëm Inspektoratin e Punës”, tha ai.