Studiues, profesorë akademikë dhe studentë të universiteteve të ndryshme nga 16 shtete të botës, ishin të pranishëm të premten në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, me rastin e hapjes së edicionit të pestë të konferencës shkencore ndërkombëtare “Bridge 2026”.
Konferenca u hap nga rektori i Universitetit të Prizrenit, Mentor Alishani, i cili tha se “Bridge” synon të kontribuojë në një dialog domethënës që sjell rezultate të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballen universitetet, si rrjedhojë e transformimit të shpejtë digjital dhe ndryshimeve klimatike e shoqërore. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku.
Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi përkushtimin e Ministrisë në avancimin e politikave që krijojnë kushte më të mira për zhvillimin e shkencës, ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e kërkimeve shkencore ndërkombëtare nëpër institucione akademike të Kosovës, raporton TV Prizreni.
Kjo konferencë u organizua në partneritet me Universitetin Trakya në Turqi.
![]()
Andaj, një fjalë rasti për të pranishmit mbajti edhe prorektorja e këtij institucioni akademik, Prof. Dr. Eylem Bayir, e cila theksoi se universitetet luajnë një rol të rëndësishëm në orientimin e zhvillimit shoqëror, nxitjen e inovacionit dhe ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.
Ceremonia e hapjes u shoqërua edhe me performancë muzikore nga profesoresha e pianos, Festa Nevzati Thaçi.
Ndërkaq, pas ceremonisë, në kuadër të kësaj konference, studiues të pranishëm prezantuan projekte të ndryshme shkencore dhe zhvilluan diskutime mbi temën e sivjetme, “Ndërlidhja e dijes, inovacionit dhe shoqërisë për një të ardhme të qëndrueshme”.
Aktivitete të ngjashme do vazhdojnë edhe të nesërmen.
Lexo edhe: