Kontesti pronësor mes vëllezërve përfundon me kanosje në Korishë – policia gjen 200 fishekë në kulmin e shtëpisë

- Gazeta e Prizrenit

Kontesti pronësor mes vëllezërve përfundon me kanosje në Korishë – policia gjen 200 fishekë në kulmin e shtëpisë

Një mosmarrëveshje pronësore mes dy vëllezërve në fshatin Korishë të Prizrenit ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme municioni.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 10:30, në Stacionin Policor Prizren Veri është raportuar një rast kanosjeje, ku viktima, Q.U, ka deklaruar se ishte kërcënuar nga vëllai i tij, M. U, si pasojë e një kontesti pronësor mes tyre.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas në rast janë përfshirë edhe hetuesit dhe krim-teknika.

Palët janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kontrolluar shtëpia dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

Gjatë bastisjes, në kulmin e shtëpisë janë gjetur dhe sekuestruar 200 fishekë për armë të gjatë, të cilët janë marrë si prova materiale.

Pas përfundimit të veprimeve hetimore, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, M. U. është ndaluar, ndërsa ndaj tij është ngritur kallëzim penal.

Rasti po vazhdon të hetohet.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Read it all at Gazeta e Prizrenit