Sherr në autostradën “Ibrahim Rugova” – 47-vjeçari dyshohet se kërcënoi dy policë civilë pasi e ndaluan për kundërvajtje

- Gazeta e Prizrenit

Sherr në autostradën “Ibrahim Rugova” – 47-vjeçari dyshohet se kërcënoi dy policë civilë pasi e ndaluan për kundërvajtje

Një ndalesë për kundërvajtje në komunikacion është shndërruar në incident me kërcënime ndaj dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës në autostradën “Ibrahim Rugova”, në rajonin e Prizrenit. Dy policët, të cilët ndodheshin me rroba civile, dyshohet se janë kanosur verbalisht nga një shofer, i cili më pas është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 20 tetor 2026, rreth orës 10:00, kur dy zyrtarë policorë kanë ndaluar një drejtues automjeti për shkak të një kundërvajtjeje në trafik.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, personi i dyshuar është Z. Zahiti, rreth 47-vjeçar.

Meqenëse ishin të veshur me rroba civile, dy zyrtarët i janë prezantuar të dyshuarit si pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Megjithatë, sipas raportimit të tyre, Zahiti ka refuzuar t’u bindet kërkesave të policëve, ka shfaqur sjellje arrogante dhe dyshohet se i ka kërcënuar verbalisht, pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion.

Situata ka kërkuar ndërhyrjen e një patrulle policore, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar palët në stacion policor.


Dy zyrtarët policorë kanë përpiluar raportet për incidentin, ndërsa rasti është marrë në trajtim nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi policor deri në 48 orë.

Rasti është iniciuar si “Kanosje ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GS



Read it all at Gazeta e Prizrenit