Prizren: Aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për fajde, dhe një për manipulim me prova

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për fajde, dhe një për manipulim me prova

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., dhe F.S., (i cili gjendet në arrati), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, si dhe kundër të pandehurit H.T., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Manipulimi me prova”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.K. dhe F.S., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit L.S., kanë dhënë hua në shuma të ndryshme parash, duke vendosur kamata dhe provizione mujore dukshëm jo proporcionale me shumat e huazuara. Në këtë mënyrë, përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për pagesën e detyrimeve, të pandehurit kanë përfituar shuma të konsiderueshme pasurore, ndërsa të dëmtuarve L.S., dhe babait të tij M.S., u kanë shkaktuar dëm në shumën prej 140,000 euro.

Ndërsa, i pandehuri H.T., gjatë muajit prill 2024, në Suharekë, nga i dëmtuari M.S., e merr origjinalin e marrëveshjes së huasë, të lidhur ndërmjet B.K., dhe L.S., me pretekstin se do t’ia prezantojë B.K., mirëpo, pasi ia prezanton, e shkatërron dokumentin dhe e bën të papërdorshëm, me qëllim të pamundësimit të përdorimit të tij në procedurë penale.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. / Gazeta e Prizrenit /



Read it all at Gazeta e Prizrenit