Inspektorati rekomandon suspendimin e një drejtori të lartë në Policinë e Kosovës

- Gazeta e Prizrenit

Inspektorati rekomandon suspendimin e një drejtori të lartë në Policinë e Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të Drejtorit të Prokurimit të Policisë së Kosovës, ndaj të cilit ka nisur një hetim paraprak.

Sipas IPK-së, hetimi po zhvillohet nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe çështje që lidhen me konfliktin e interesit në proceset e prokurimit publik.

Dyshimet hetimore përfshijnë dhjetëra kontrata të prokurimit, të zhvilluara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale. Hetuesit po shqyrtojnë vendimmarrjen, mënyrën e zhvillimit të procedurave, si dhe respektimin e kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës, raporton IndeksOnline.

Për të garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e hetimit, IPK i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që zyrtari të suspendohet nga detyra deri në përfundimin e hetimit penal.

IPK-ja, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht dyshimet.

Inspektorati ka bërë të ditur se, për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit, në këtë fazë nuk mund të japë detaje të tjera për rastin.



Read it all at Gazeta e Prizrenit