Organizata “EC Ma Ndryshe” ngre shqetësimin për ndërhyrjet e paautorizuara në Qendrën Historike të Prizrenit. Rasti i fundit ka të bëjë me intervenimin e një operatori ekonomik në fasadën e jashtme të një objekti, pa siguruar paraprakisht lejet përkatëse, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Reagimi i plotë:
Ndërhyrjet e paautorizuara brenda Qendrës Historike të Prizrenit po vazhdojnë. Një rast i tillë është evidentuar së fundmi, kur një operator ekonomik ka intervenuar në fasadën e jashtme të një objekti pa siguruar lejet përkatëse.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka konfirmuar se pronari i objektit nuk posedon leje për këto ndërhyrje dhe se për rastin është njoftuar Inspektorati Komunal. Ndërkaq, Këshilli i Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë kërkesë për këtë aktivitet.
Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit përcakton kufizime të qarta për ndërhyrjet në këtë zonë, me qëllim të ruajtjes së autenticitetit dhe integritetit të saj.
EC Ma Ndryshe është në pritje të përgjigjeve edhe nga institucionet e tjera lidhur me veprimet e ndërmarra për këtë rast.
EC Ma Ndryshe rikujton se mbrojtja e Qendrës Historike është përgjegjësi e vazhdueshme institucionale dhe qytetare.