Dy plumba godasin dritaren e një shtëpie në Prizren – fëmijët vërejnë gjurmët, Policia nis hetimet

- Gazeta e Prizrenit

Dy plumba godasin dritaren e një shtëpie në Prizren – fëmijët vërejnë gjurmët, Policia nis hetimet

Dy predha kanë goditur xhamin e dritares së një shtëpie në Prizren, ndërsa ngjarja është zbuluar pasi fëmijët e familjes kanë vërejtur dëmtimin. Rasti ka vënë në lëvizje Policinë dhe njësitë e kriminalistikës, të cilat kanë sekuestruar dy predha në vendin e ngjarjes, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për shtëpinë e V.K., rreth 43-vjeçar, në rrugën “Ylber Fanaj” në Prizren.

Ngjarja është regjistruar si incident i datës 14 nëntor, ndërsa Policia është njoftuar më 16 nëntor, rreth orës 11:30.

Kur patrulla ka mbërritur në vendin e ngjarjes, pronari i shtëpisë ka deklaruar se fëmijët e tij kishin vërejtur se xhami i dritares ishte goditur nga predhat.

Pas raportimit, në vendngjarje kanë dalë hetuesit dhe njësia e kriminalistikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet fillestare dhe kanë sekuestruar dy predha, kalibri i të cilave ende nuk është përcaktuar.

Ende nuk dihet kush i ka shkrepur të shtënat dhe në çfarë rrethanash predhat kanë goditur shtëpinë.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet janë iniciuar për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.



Read it all at Gazeta e Prizrenit