Kryebashkiaku Veliaj: Tirana, bashkia e parë që hap Zonën e Lirë Ekonomike, do hapen 5-7 mijë vende pune për qytetarët

- Gazeta Telegraf

Kryebashkiaku Veliaj: Tirana, bashkia e parë që hap Zonën e Lirë Ekonomike, do hapen 5-7 mijë vende pune për qytetarët

TEDA është një projekt që do t’i mbetet Tiranës dhe do frymëzojë bashkitë e tjera që të bëjnë zona të lira ekonomike.

Tirana do të jetë bashkia e parë, e cila do të krijojë një zonë të lirë ekonomike, kjo u arrit të enjten mes një nënshkrimi të një marrëveshje midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Do të quhet ndryshe si TEDA Tirana dhe Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik në fjalë ndodhet mes Kasharit dhe Vaqarri duke u kthyer kështu në një hapësirë zhvillimore me rëndësi strategjike për të gjitha bizneset e huaja që duan të investojnë në Tiranë, kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit, prodhimin e automjeteve dhe turizmit. Marrëveshja nuk i hap rrugë thjesht ndërtimit të infrastrukturës, por i hap rrugë edhe thirrjeve të para për bizneset që duan të aplikojnë për t’u bërë pjesë e zonës ekonomike. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se përmes TEDA Tirana, qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë krijuar një stacion, ku një kompani ndërkombëtare mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u bërë pjesë e saj. “TEDA është një projekt që do t’i mbetet këtij qyteti dhe do frymëzojë bashkitë e tjera që të bëjnë një zonë të lirë ekonomike. Duke qenë se po e shkelim ne të parët, do vëmë edhe sinjalistikë që, kushdo që ta shkelë pas nesh, të dijë ekzaktësisht hapat si bëhet dhe nesër të jetë një qytet tjetër që mund ta bëjë, si Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, etj”, tha Veliaj. Ai siguroi se TEDA do të gjenerojë rreth 7 mijë vende të reja pune, që lidhen me teknologjitë e reja. “Nëse nuk pengojmë njeri-tjetrin, po ju turrëm kësaj pune me energji të mirë, dhe duke inkurajuar secilin proces, ne mund të bëjmë një punë të mrekullueshme. Ne konkurrojmë sot me Shkupin, Greqinë e Veriut, Serbinë e Jugut dhe Malin e Zi. Në këtë sens, do duhet të tregojmë pse Tirana është “nona” dhe pse Tirana është vendi ku duhet të investojmë. Mos u shqetësoni për zhurmën. Ne duhet të funksionojmë si orkestër që prodhon muzikë. Puna që po bëni mund të mos jetë puna më e lëvduar, dhe më e klikuar, por është puna që do i mbetet vendit dhe do prodhojë muzikë në vend të zhurmës”, tha Veliaj, i cili nuk la pa komentuar edhe deklaratat politike të ditëve të fundit, teksa u shpreh se kur të shkruhet historia nuk do mbahen mend marrëzitë e ditës, por veprat që do të mbeten pas. “Me të gjitha muhabetet që keni dëgjuar me sharje publike të ca personazheve që deri dje kanë drejtuar vendin dhe që Shqipëria u ka dhënë gjithçka, ne kuptojmë se kur të shkruhet historia nuk do mbahen mend marrëzitë e ditës. Në finale do mbeten veprat! Sheshi Skënderbej do të jetë aty edhe për 100 vite të tjera.”



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf