Letra e rrallë që Lord Bajroni i dërgon nënës më 12 nëntor 1809 për emocionet e takimit me Ali Pashanë

- Gazeta Telegraf

Letra e rrallë që Lord Bajroni i dërgon nënës më 12 nëntor 1809 për emocionet e takimit me Ali Pashanë

– Udhëtimi zgjati 9 ditë me kuaj ku thuhet se në Libohovë ka qëndruar një natë në sarajet e Shanishasë, motrës së Ali Pashës

Në letrën që Lord Bajroni i dërgon nënës më 12 nëntor 1809, nga Preveza, ai përshkruan udhëtimin e tij nga Janina në Tepelenë, për t’u takuar me “Pashain e Janinës”, Ali Pashë Tepelenën. Rruga e asaj periudhe kalonte nga Janina në Zicë, Delvinaq, Peshkëpi, Nepravishtë, Libohovë, vazhdonte nëpër Urën e Zonjës, e më tej në Qestorat, Erind, Dhoksat, Labovë e Zhapës, Hormovë, Lekël, Ura e Beçishtit dhe arrinte në Tepelenë. Udhëtimi zgjati 9 ditë me kuaj. Gojëdhënat thonë se në Libohovë ka qëndruar një natë në sarajet e Shanishasë, motrës së Ali Pashës, dhe për këtë ka shkruar se “Në Libohovë kam ngrënë gjellët më të shijshme se në tavernat e Spanjës dhe Portugalisë, dhe kam parë vashat me të bukura.” Ndër të tjera, Bajroni në letrën e tij shkruan: “Veziri më priti në këmbë, – veçori e madhe nga ana e një myslimani – dhe më uli në krahun e tij të djathtë. Kisha marrë me vete një terxhuman për raste të veçanta, por këtë herë, një mjek i Aliut, i quajtur Femlario, i cili e kuptonte latinishten, përmbushi funksionin e duhur. Kërkesa e parë e pashait ishte se përse unë kaq i ri, isha larguar nga vendi im. Shtoi pasandaj se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte thënë se unë vija nga një familje e madhe; dhe m’u lut të përcillja nderimet e tij për time më, dhe unë po ua paraqes ato në emër të Ali Pashait. Më tha se ishte i bindur që unë isha njeri nga sërë e lartë, ngaqë i kisha veshët e vegjël, leshrat me bukle dhe duart të holla e të bardha; nuk e fshehu që sjellja dhe kostumi im i kishin pëlqyer. M’u lut ta konsideroja si një baba, për aq kohë sa do të isha në Shqipëri, duke më siguruar se më shihte si birin e tij. Në fakt, më trajtoi si një fëmijë, duke më dërguar njëzet herë në ditë bajame, sherbete, fruta dhe gliko. Udhës kaluam afër dy qyteteve, Argjirokastrës dhe Libohovës, të cilat nga sa dukej, nuk qenë shumë më të vegjël se Janina dhe s’ka penë a penel që të mund t’i bëjë drejtësi skenës piktoreske në afërsi të Zicës e të Delvinaqit. Më datën 17 Tetor u nisëm për në Libohovë dhe arritëm më pas në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisëm më 19 tetor në orën 3.30 mbasdite. Pas tri ditëve si mysafirë të Ali Pashës u kthyem po në atë udhë. Shqiptarët, ose Albanezët, më ranë në sy më fort përmes shëmbëllimit, që kanë me malësorët e Skocisë; në veshje, në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës. Dhe vetë malet e tyre më duken si të Kaledonisë, veçse me klimën më të butë. Fustanella e tyre e bardhë, trupi i tyre i hollë dhe i gjatë, dialekti i tyre, keltik në tingullin e tij, zakonet e tyre të rrepta, të gjitha këto më shpunë në Morven. Shqiptarët, me petkun e tyre, më të bukurin në botë, me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar, me anteri e jelekë kadife të kuqe, të qëndisura me fije ari, me jataganë e pisqollë të sermët, me feste të gjata. Shqiptarët në përgjithësi kanë tipare të hijshëm. Gratë më të bukura që më kanë rënë në sy, në trup dhe në fytyrë, i pamë duke qëruar udhën e mbushur prej rrëkeve midis Delvinaqit dhe Libohovës. Mënyra se si ecin shqiptarët është vërtet teatrale; por ecja e tyre krenare ndoshta vjen nga bruca ose guna që mbajnë në një krah. Flokët e tyre të gjatë më kujtuan Spartanët dhe guximi i tyre në luftë të shpejtë dhe të papritur s’mund të vihet në dyshim.”

Jeta e rrallë e Bajronit

Lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait të tetë, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Neëstead Abbey. Në moshën madhore zuri vendin që i takonte në Shtëpinë e lordëve. Më 1800 Bajronin e dërguan në Harroë, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Këtu ju spikatën ato cilësi të karakterit, që i ruajti gjithë jetën. Serioziteti dhe zotësia të mendohej thellë mbi ngjarjet e jetë; dhe bashkë me këto: gëzimi, vrulli shpirtëror e temperamenti i zjarrtë. Më 1805 Bajroni hyri në Universitetin Kembrixh (Cambridge). Kur ishte akoma student botoi vjershat e para lirike tëtijat “Orët e Ngeses”. Revista zyrtare e shkrimtarëve “Edinburg Reviu”, i bëri një kritikë pa mëshirë. Poeti i ri iu përgjigj me satirën “Këngëtarë anglezë e skocezë”, në të cilën sulmoi ashpër letërsinë angleze të asaj kohe dhe gati gjithë poetët e njohur, sidomos ata të “shkollës së liqenit”. “Shtegtimi i Çajld Harolldit” është puna letrare më e madhja e Bajronit. Vetë autori thotë në dedikimin e këngës së katërt se është “më e gjata, më e menduara dhe më e kuptuara nga hartimet e mia”. Populli i Shqipërisë së Jugut e mbajti për një kohë të gjatë në kujtesën e tij vizitën e poetit anglez në sarajet e Tepelenës 150 vjet më parë dhe pleqtë tanë, shpesh herë mbrëmjeve, kur mblidheshin për bisedë te sofati i portës, i përmendnin fjalët që i tha Ali Pasha djaloshit fisnik anglez: ”E kuptoj që jeni vërtet nga derë e madhe, prej veshëve tuaj të vegjël, prej duarve të vogla të bardha dhe prej flokëve kaçurrela”. Më 1809, në korrik, njëzetenjëvjeçari u nis për udhëtimin e tij të parë nga skela e Falmouthit. Mori pas një shpurë shërbëtorësh, i shoqëruar prej shokut të tij të shkollës Cam Hobhouse. Së pari zbriti në Lisbonë. Portugalia qe aleate e Anglisë në Luftën Gadishullore. Napoleoni e kishte zaptuar Evropën, por Anglia zotëronte detin. Udhëtimet ishin të rrezikshme, prandaj Bajroni vizitoi vetëm ata vise që nuk rrezikonin nga armiku. Prej Lisbonës udhëtoi me kalë 640 kilometra dhe arriti në Kadiz. Nga ky port spanjoll një luftanije angleze e solli nëpër Mesdhe prej Gjibraltarit në Maltë dhe që aty në Prevezë, në Shqipëri. Nga Preveza, Bajroni dhe Cam Hobbouse erdhën në Janinë. Vizitorët e shquar nuk e gjetën Ali Pashën në kryeqytet, prandaj më 11 tetor e vazhduan udhëtimin 160 kilometra të tjera në veri. Më 17 u nisën në Libohovë dhe arritën në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisën më 19 të tetorit në orën 3,30 pas dreke dhe në orën 5 arrin në Tepelenë. Pas tri ditëve si mysafirë të Ali Pashës, u kthyen po asaj udhe. Nga Janina u nisën për në Prevezë dhe së andejmi kaluan për në Greqi nën mbrojtjen e 35 shqiptarëve. Duke u larguar nga Shqipëria, Bajroni përshkoi Akarnaninë, kapërceu pyjet aeoliane të lumit Ahelos dhe më 21 nëntor 1908 arriti në Mesolongji, ku 16 vjet më vonë do të jepte jetën për Greqinë. Atje ktheu për në shtëpi të tyre gjithë shqiptarët që e përcollën, vetëm një jo, Dervishin, që mbeti me të përsa kohë që poeti qëndroi në Lindje. Bajroni u kthye në Londër në korrik 1811. Gjatë udhëtimit shkroi një ditar në vargje, të cilin e pagëzoi me titullin: ”Shtegtimi Çajld Haroldit”. S’kish në mend ta botonte, po shokët e tij të entuziazmuar ia rrëmbyen nga duart dhe e dërguan në shtyp. Kënga e parë dhe e dyta u pritën me lavdërime të madha. Bajroni u zgjua atë mëngjes dhe pa se qe bërë i famshëm. Cajld Haroldi e bëri edhe Shqipërinë të njohur në gjithë botën e qytetëruar. Nga të dy këngët na intereson e dyta. Në të parën Bajroni përshkruan udhëtimin përmes Portugalisë e Spanjës. E dyta merret kryekëput me Greqinë dhe Shqipërinë.

Dorëshkrimi ka këtë shënim të autorit:
Bajron në Janinë, Shqipëri
Filluar në 31 tetor 1809
Mbaruar në Izmir,
më 28 mars 1810.
Në përkthimin e bërë në shqip
për fat të keq përkthyesi nuk e
ka ruajtur rimën



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf