Agim Çiraku: Labëria përkrah Çamërisë në momentet historike të Shqipërisë

- Gazeta Telegraf

Agim Çiraku: Labëria përkrah Çamërisë në momentet historike të Shqipërisë

– Si një luftëtar për lirinë e atdheut Fatos Mero Rrapaj u bë edhe një luftëtar për të nxjerrë në pah të vërtetat historike, që e lidhin Labërinë tonë me Çamërinë.

Agim Çiraku
Kryetar i Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”

Që në krye të fjalës duhet thënë se Fatos Mero. Rrapaj është folklorist, etnograf, studiues dhe shkrimtar nga Vlora, por  edhe një përfaqësues dinjitoz i Labërisë sonë të dashur. Ai, lindi në Gumenicë të Vlorës më 6 korrik 1930, dhe ndërroi jetë në Vlorë më 2 prill 2012.

Vargjet e një poeti vlonjat janë sot më aktuale se kurrë për atë çka përfaqëson krijimtaria e Fatos Mero. Rrapaj.

“Çamëria – Labëria,

lule dege, gjak në rrënjë.

Labëria – Çamëria,

janë dy motra bërë një nënë”.

Por origjina nga Gumenica e Vlorës ku edhe kaloi fëmijërinë, edukimi trashëgimor si një lab i devotshëm, aftësia e tij për të hulumtuar për çështjen kombëtare në përgjithësi dhe për folklorin dhe kulturën e Çamërisë në veçanti, i dha atij nder dhe e bëri të njohur si një akademik.

Labëria dhe Çamëria kanë pasur një lidhje historike shekullore, kanë luftuar kundër të  njëjtit armik, kanë bashkëpunuar në tregti dhe në lidhje farefisnore, që e bën të dukshme edhe faktin që studiues si Fatos Mero. Rrapaj të tërhiqen nga historitë që na lidhin NE lebërit me çamët si një  krenari historike e Shqipërisë së Jugut.

Fakti që ndër librat që ai shkroi, spikat vëllimi me rreth 800 faqe “Këngë popullore të Çamërisë”, i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1983, me recensën dhe parathënien e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, që e ka thënë se është suprizuar nga puna voluminoze dhe kujdesi i veçantë dhe spikatja që ai i bëri këngës popullore çame, brenda së cilës është e mishëruar historia e Çamërisë nga Europa, krahina që sot fatkeqësisht ndodhet jashtë kufijve të kombit tonë.

Ndaj dhe vazhdimësia e lidhjeve mes dy krahinave na bën krenar dhe në vazhdimësi mes Labërisë dhe Çamërisë dhe jemi krenar për birin tonë të nderuar që ka qenë një Institut vlerash akademike jo vetëm për Vlorën dhe Labërinë, por edhe për Çamërinë dhe kjo është një lidhje e fortë që na nderon të gjithëve.

Si një luftëtar për lirinë e atdheut Fatos Mero. Rrapaj u bë edhe një luftëtar për të nxjerrë në pah të vërtetat historike, që e lidhin Labërinë tonë me Çamërinë.

Në krijimtarinë e tij Fatos Mero. Rrapaj është treguar largpamës; Jo lokalist që të punonte vetëm për Labërinë ku ka lindur, por edhe për Çamërinë.

Ai e dinte më mirë se kushdo, se një kombi të ndarë , që i goditet qëllimisht Identiteti Kombëtar nga fqinjët apo armiqtë e tij shekullorë  është lehtësisht i asimilueshëm. Dhe që të mos ndodhte asimilimi  Fatos Mero. Rrapaj e nisi në kohën e duhur aksionin patriotik, duke e quajtur këtë si një detyrë të përbashkët kombëtare nëpërmjet folklorizmit  gjuhësor dhe historik.

Sot në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria, ju premtoj se së bashku me intelektualët e Labërisë, Botën Akademike dhe personalitetet e shquara të trevës sonë , do të bashkpunojmë me institucionet shtetërore dhe ato shoqërore si dhe përfaqësues të Çamërisë për edukimin patriotik, revolucionar, atdhetar në shërbim të Kombit.

     



Lexoni të gjitha në Gazeta Telegraf